Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 6

6
Arka e Besëlidhjes
1Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, 2dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e Zotit të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. 3Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, 4dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. 5Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para Zotit, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale.
6Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, 7mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Zotit dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. 8Davidi u mërzit që Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. 9Atë ditë Davidi pati frikë nga Zoti e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Zotit?». 10Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e Zotit në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. 11Arka e Zotit ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Zoti e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të.
12Mbretin David e lajmëruan e i thanë: «Zoti e ka bekuar shtëpinë e Obed Edomit me gjithë ç'ka, për hir të arkës së Perëndisë». Atëherë Davidi shkoi dhe e solli me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed Edomit te Qyteti i Davidit. 13Pasi ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. 14Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para Zotit. Ai kishte veshur një efod të linjtë. 15Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e Zotit me brohoritje dhe me tingujt e bririt.
16Kur arka e Zotit mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para Zotit dhe e përçmoi në zemrën e vet.
17Arkën e Zotit e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para Zotit. 18Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive 19dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet.
20Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». 21Davidi i tha Mikalës: «E bëra para Zotit që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e Zotit, Izraelin. Po, para Zotit do të lodroj! 22Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë». 23Mikala, bija e Saulit, vdiq pa lënë fëmijë.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë