Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 4

4
Vrasja e Ishboshetit
1Kur biri i Saulit e mori vesh se Abneri kishte vdekur në Hebron, ai u ligështua dhe tërë Izraeli u tmerrua. 2Biri i Saulit kishte dy prijës çetash. Njëri quhej Banah dhe tjetri Rekab. Ata ishin bijtë e Rimon Berotitit, prej Benjaminit, sepse edhe Beroti mbahej si pjesë e Benjaminit. 3Berotitët kishin ikur në Gitaim dhe kishin qëndruar aty si të ardhur gjer më sot.
4Jonatani, biri i Saulit, kishte një djalë të çalë. Ai kishte qenë pesë vjeç kur kishte ardhur lajmi prej Izrelit për Saulin dhe Jonatanin. Mëndesha e kishte marrë dhe ia kishte mbathur. Teksa nxitonte për të ikur, djali i kishte rënë përtokë dhe kishte mbetur i çalë. Ai quhej Mefiboshet.
5Bijtë e Rimon Berotitit, Rekabi dhe Banahu, mbërritën te shtëpia e Ishboshetit, kur ai po pushonte në zheg. 6Ata hynë brenda në shtëpi gjoja për të marrë elb dhe e qëlluan në bark. Pastaj Rekabi dhe Banahu ia mbathën. 7Ata kishin hyrë në shtëpi kur ai kishte qenë shtrirë në dhomën e tij. E kishin vrarë dhe ia kishin prerë kokën. Pastaj e kishin marrë me vete dhe kishin udhëtuar tërë natën rrugës për në Arabah. 8Ia sollën kryet Davidit në Hebron e i thanë: «Ja, kryet e Ishboshetit, birit të Saulit, armikut tënd, që kërkonte të të merrte jetën. Sot, Zoti ia mori hakun zotërisë tonë kundër Saulit dhe pasardhësve të tij».
9Por Davidi iu përgjigj Rekabit e Banahut, vëllait të tij, bijve të Rimon Berotitit: «Pasha Zotin, që e ka shpëtuar jetën time nga çdo rrezik, 10nëse e kapa dhe e vrava në Ciklag, si shpërblim për lajmin e mirë, atë që më dha lajmin e vrasjes së Saulit, 11aq më tepër do t'i dënoj keqbërësit që kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e në shtratin e vet! Gjakun e tij do ta kërkoj prej duarve tuaja e do t'ju zhbij prej faqes së dheut». 12Davidi urdhëroi djelmoshat dhe ata i vranë, ua prenë duart e këmbët dhe i varën pranë pellgut të Hebronit. Pastaj morën kokën e Ishboshetit dhe e varrosën te varri i Abnerit në Hebron.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë