Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 17

17
Hushai kundër Ahitofelit
1Ahitofeli i tha Absalomit: «Më lejo të zgjedh dymbëdhjetë mijë luftëtarë dhe të ngrihem që sonte e të ndjek Davidin. 2Do t'i vërsulem kur të jetë i lodhur e i këputur dhe do t'i fus tmerrin. Kur mbarë populli, që është me të, të ketë marrë arratinë, do t'i vërsulem vetëm mbretit. 3Mandej do ta kthej mbarë popullin te ti. Kur të gjithë të jenë kthyer te ti#17.3 të tjerë: siç bihet nusja te burri i saj, përveç atij që kërkoje, mbarë populli do të jetë në paqe». 4Fjalët e Ahitofelit i pëlqyen Absalomit e mbarë pleqësisë së Izraelit.
5Megjithatë Absalomi tha: «Thërrisni edhe Husha Arkitin, që të dëgjojmë edhe mendimin e tij». 6Hushai shkoi tek Absalomi dhe Absalomi i tha: «Ahitofeli ka thënë kështu. A të veprojmë siç tha ai apo ke ndonjë gjë për të thënë?». 7Hushai iu përgjigj Absalomit: «Këshilla që ka dhënë Ahitofeli këtë herë nuk është e mirë». 8E shtoi: «Ti e njeh mirë tët atë dhe burrat që janë me të. Ata janë luftëtarë trima e të paepur, si arusha në arë kur i rrëmbejnë këlyshët. Yt atë është luftëtar i zoti dhe nuk e kalon natën me popullin. 9Ja, tani do të jetë fshehur në ndonjë shpellë ose në ndonjë vend tjetër dhe, nëse vritet ndonjëri prej nesh i pari, tjetri do ta dëgjojë e do të thotë: “Po bëhet kërdia mes njerëzve që shkuan pas Absalomit”. 10Atëherë edhe më trimi zemërluan do të dëshpërohej thellë, sepse mbarë Izraeli e di se yt atë është luftëtar trim dhe se ata që janë me të janë trima të fortë. 11Këshilla ime është të mblidhet te ti mbarë Izraeli, nga Dani në Bershebë, i panumërt si rëra e bregut të detit, dhe të dalësh edhe ti në luftë. 12Atëherë do ta sulmojmë kudo që të jetë dhe do t'i vërsulemi si vesa që bie mbi tokë. Nuk ka për t'i mbetur asnjë nga trimat që janë me të. 13Nëse tërhiqet në ndonjë qytet, mbarë Izraeli do t'i hedhë atij qyteti litarët dhe do ta plandosë në përrua, derisa të mos i mbetet asnjë gur». 14Absalomi dhe të gjithë izraelitët thanë: «Këshilla e Husha Arkitit është më e mirë se këshilla e Ahitofelit». Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahitofelit, me qëllim që Zoti t'i sillte shkatërrim Absalomit.
15Hushai u tha priftërinjve Cadok dhe Abiatar: «Kështu e kështu e këshilloi Ahitofeli Absalomin dhe pleqësinë e Izraelit, ndërsa unë e këshillova kështu e kështu. 16Prandaj çojini fjalë Davidit shpejt e thuajini: “Mos e kalo natën në fushat e shkretëtirës, por kalo lumin, që të mos shfaroset mbreti bashkë me popullin që është me të”».
17Jonatani dhe Ahimaci qëndronin te burimi i Rogelit, sepse nuk duhej t'i shihnin duke hyrë në qytet. Një shërbëtore shkoi e i njoftoi dhe ata u nisën për të njoftuar mbretin David. 18Por një djalosh i pa dhe i tregoi Absalomit. Atëherë ata nxituan, shkuan në një shtëpi në Bahurim që kishte një pus në oborr dhe zbritën në pus. 19Gruaja mori një mbulesë dhe mbuloi grykën e pusit. Pastaj hodhi grurë mbi të pa e marrë vesh askush. 20Shërbëtorët e Absalomit shkuan te shtëpia e gruas dhe e pyetën: «Ku janë Ahimaci dhe Jonatani?». Ajo iu përgjigj: «Kaluan në anën tjetër të përroit». Ata i kërkuan, por nuk i gjetën. Pastaj u kthyen në Jerusalem.
21Pasi u larguan shërbëtorët e Absalomit, ata dolën prej pusit, shkuan për të njoftuar mbretin David e i thanë: «Ngrihu e kalo shpejt lumin, se kështu e kështu i ka këshilluar Ahitofeli kundër jush». 22Atëherë Davidi u ngrit bashkë me popullin, që ishte me të, dhe kaluan Jordanin. Askush nuk mbeti pa e kaluar Jordanin deri në mëngjes. 23Kur Ahitofeli pa se nuk ia dëgjuan këshillën, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpi, në qytetin e vet. Pasi u la atyre të shtëpisë porositë e fundit, vari veten dhe vdiq. E varrosën në varrin e të atit.
24Kur Absalomi dhe të gjithë izraelitët që ishin me të kaluan Jordanin, Davidi mbërriti në Mahanaim. 25Në krye të ushtrisë Absalomi kishte caktuar Amasain në vend të Joabit. Amasai ishte i biri i një burri që quhej Itra Izraeliti, i cili kishte shkuar në shtrat me Abigajlën, të bijën e Nahashit dhe të motrën e Cerujahës, të ëmës së Joabit. 26Izraeli dhe Absalomi e ngritën fushimin në tokën e Gileadit.
27Kur mbërriti Davidi në Mahanaim, Shobiu, biri i Nahashit nga Rabahu i bijve të Amonit, dhe Makiri, biri i Amielit nga Lo Debari, dhe Barzila Gileaditi nga Roglimi 28i sollën shtretër, govata dhe enë balte. Sollën edhe grurë, elb, miell, grurë të pjekur, fasule, thjerrëza, fara të pjekura, 29mjaltë, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për popullin që ishte me të, që të hanin. Ua kishte marrë mendja se populli ishte i uritur, i lodhur e i etur nga shkretëtira.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 17: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë