Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 15

15
Kryengritja e Absalomit
1Pas kësaj, Absalomi mori një karrocë me kuaj dhe vuri pesëdhjetë burra të vraponin para tij. 2Ai ngrihej herët, qëndronte ndanë rrugës për te porta e qytetit, thërriste këdo që kishte ndonjë çështje gjyqësore e që shkonte për gjykim para mbretit dhe e pyeste: «Nga cili qytet je?». Ai i përgjigjej: «Shërbëtori yt është nga aksh fis i Izraelit». 3Atëherë Absalomi i thoshte: «Ja, çështja jote është e ndershme dhe e drejtë, por nga ana e mbretit nuk ka kush të dëgjon». 4E thoshte: «Po të më caktonin mua gjykatës të vendit, kushdo që të kishte ndonjë çështje gjyqësore, do të vinte tek unë dhe unë do ta gjykoja me drejtësi». 5Kur i afrohej ndokush dhe përkulej para tij, ai shtrinte dorën, e ngrinte dhe e përqafonte. 6Kështu vepronte Absalomi me të gjithë izraelitët që shkonin për gjykim te mbreti. Absalomi ua fitoi zemrat burrave të Izraelit.
7Pas katër vjetësh, Absalomi i tha mbretit: «Të lutem, më lejo të shkoj në Hebron për të përmbushur një betim që i kam bërë Zotit. 8Kur jetonte në Geshur të Aramit, shërbëtori yt u betua e tha se do t'i shërbente Zotit po ta kthente në Jerusalem». 9Mbreti i tha: «Shko në paqe». Absalomi u ngrit e shkoi në Hebron. 10Atëherë ai dërgoi fshehtas lajmëtarë në mbarë fiset e Izraelit e u tha: «Kur të dëgjoni tingullin e bririt, shpallni se Absalomi është bërë mbret në Hebron». 11Bashkë me Absalomin u nisën prej Jerusalemit, pa të keq, edhe dyqind të ftuar. Ata nuk dinin gjë. 12Absalomi dërgoi prej Gilohut Ahitofel Gilonitin, këshilltarin e Davidit, për të kushtuar flitë. Kryengritja sa vinte e forcohej dhe përkrahësit e Absalomit shtoheshin.
Davidi merr arratinë
13Një lajmëtar erdhi te Davidi e i tha: «Burrat e Izraelit po shkojnë me gjithë zemër pas Absalomit». 14Atëherë Davidi u tha të gjithë shërbëtorëve të tij, që ishin me të në Jerusalem: «Ngrihuni të ikim, që t'i shpëtojmë Absalomit. Le të nxitojmë, që të mos na vërsulet e të na kapë. Përndryshe do të na shfarosë dhe do ta kalojë qytetin në teh të shpatës». 15Shërbëtorët i thanë mbretit: «Sido që të vendosë imzot, mbreti, shërbëtorët i ka gati». 16Mbreti me mbarë shtëpinë e vet doli nga qyteti më këmbë. Për të ruajtur shtëpinë la dhjetë shemra. 17Mbreti dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën më këmbë nga qyteti dhe u ndalën te shtëpia e fundit. 18Të gjithë shërbëtorët marshuan në krah të tij. Të gjithë keretitët, peletitët dhe gititët, gjithsej gjashtëqind burra që ishin vënë në shërbim të tij që nga Gati, kaluan para mbretit.
19Mbreti i tha Ita Gititit: «Përse vjen me ne? Kthehu në qytet dhe qëndro me mbretin e ri, sepse je tashmë i huaj e në mërgim, larg vendit tënd. 20Dje erdhe dhe sot të duhet të endesh me ne, kur as unë vetë nuk di ku po shkoj. Kthehu e merr me vete edhe vëllezërit e tu dhe mirësia e besnikëria qofshin me ty!». 21Itai iu përgjigj mbretit e i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën e mbretit, zotërisë tim, kudo të jetë mbreti, zotëria im, gjallë a vdekur, atje do të jetë edhe shërbëtori yt». 22Davidi i tha Itait: «Kalo atëherë». Ita Gititi kaloi bashkë me luftëtarët e tij dhe me të gjithë të vegjlit që ishin me të. 23Mbarë vendi vajtonte me kujë, teksa luftëtarët kalonin para mbretit. Edhe vetë mbreti e kaloi përroin e Kidronit dhe mbarë populli u nis rrugës së shkretëtirës.
24Kaloi edhe Cadoku bashkë me të gjithë levitët që mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Ata e ulën arkën e Perëndisë dhe Abiatari kushtoi fli, derisa kaloi mbarë populli që doli prej qytetit. 25Atëherë mbreti i tha Cadokut: «Ktheje arkën e Perëndisë në qytet. Nëse gjej hir në sytë e Zotit, ai do të më kthejë prapë që ta shoh arkën dhe banesën e saj. 26E nëse thotë se nuk i pëlqej, ja ku jam, le të bëjë me mua si t'i duket më mirë atij». 27Atëherë mbreti i tha priftit Cadok: «Shiko këtu! Ti kthehu në qytet në paqe bashkë me tët bir, Ahimacin, dhe me Jonatanin, birin e Abiatarit. 28Unë do të endem nëpër vatën e shkretëtirës, derisa të më dërgoni lajm». 29Cadoku dhe Abiatari e kthyen arkën e Perëndisë në Jerusalem dhe qëndruan atje.
30Davidi iu ngjit përpjetës së malit të Ullinjve duke qarë, kokë mbuluar e këmbë zbathur. Edhe mbarë populli që e shoqëronte iu ngjit përpjetës kokë mbuluar dhe duke qarë. 31Davidin e lajmëruan se Ahitofeli ishte mes atyre që ishin bashkuar me Absalomin. Atëherë Davidi tha: «O Zot, bëji të marra këshillat e Ahitofelit».
32Kur arriti në majë, Davidi adhuroi Perëndinë. Atëherë ia behu Husha Arkiti me rroba të shqyera dhe me kokën të mbuluar me dhe. 33Davidi i tha: «Nëse vjen me mua, do të më bëhesh barrë. 34Por nëse kthehesh në qytet e i thua Absalomit: “Jam shërbëtori yt, o mbret. Në të shkuarën isha shërbëtor i tyt eti, por tani jam shërbëtori yt”, atëherë do të mund t'i kthesh këshillat e Ahitofelit në të mirën time. 35Pranë do të kesh edhe priftërinjtë Cadok dhe Abiatar. Ç'të dëgjosh në shtëpinë e mbretit tregoja priftërinjve Cadok dhe Abiatar. 36Me ta janë edhe dy bijtë e tyre, Ahimaci i Cadokut dhe Jonatani i Abiatarit. Dërgoni ata për të më njoftuar gjithçka që dëgjoni». 37Hushai, miku i Davidit, u kthye në Jerusalem teksa Absalomi po hynte në qytet.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 15: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë