Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 14

14
Kthimi i Absalomit
1Joabi, biri i Cerujahut, e kishte kuptuar se Davidi dëshironte me gjithë zemër ta takonte Absalomin. 2Atëherë ai dërgoi njerëz në Tekoa, që t'i sillnin një grua të urtë. Joabi i tha: «Bëj sikur mban zi dhe vishu me rroba zie. Mos u lyej me vaj, që të dukesh si një grua që ka kohë që vajton për të vdekurin. 3Shko te mbreti dhe thuaji siç të them unë». Joabi e mësoi se ç'duhej të thoshte.
4Gruaja nga Tekoaja shkoi te mbreti, u përkul para tij me fytyrë përtokë e i tha: «Më shpëto, o mbret!». 5Mbreti e pyeti: «Çfarë ke?». Ajo iu përgjigj: «E mjera unë! Jam vejushë dhe burri më ka vdekur. 6Shërbëtorja jote kishte dy djem, por ata u grindën në arë dhe askush nuk ndërhyri. Njëri i ra tjetrit dhe e vrau. 7Tani është ngritur tërë fisi i shërbëtores sate dhe më thonë: “Dorëzoje djalin që vrau të vëllanë. Duam ta vrasim, t'i marrim gjakun vëllait që vrau dhe ta shfarosim”. Duan të më shuajnë edhe atë dritëz që më ka mbetur, që të mos i mbetet burrit tim as emër e as pasardhës mbi tokë».
8Mbreti i tha: «Shko në shtëpi dhe do të lëshoj një urdhëresë lidhur me çështjen tënde». 9Gruaja nga Tekoaja i tha mbretit: «Paudhësia rëntë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, o imzot mbret, e jo mbi mbretin e mbi fronin e tij». 10Mbreti i tha: «Atë që të thotë ndonjë gjë, sille tek unë. Askush nuk do të të prekë më». 11Ajo i tha: «Le të betohet mbreti për Zotin, Perëndinë e tij, se nuk do ta lejojë gjakmarrësin të bëjë një të keqe edhe më të madhe e të më vrasë djalin». Ai i tha: «Pasha Zotin, djalit tënd s'ka për t'i rënë asnjë fije floku».
12Atëherë gruaja i tha: «Lejoje shërbëtoren tënde t'i thotë një fjalë mbretit, timzotit». Mbreti i tha: «Fol!». 13Gruaja i tha: «Atëherë përse sheston kështu kundër popullit të Perëndisë? Mbreti e tregoi veten fajtor me fjalët që tha, duke mos e kthyer të arratisurin. 14Të gjithë vdesim dhe jemi si uji që derdhet në tokë e nuk mblidhet më. As Perëndia nuk merr jetë, por mendon sesi i dëbuari të mos mbetet larg tij. 15Kam ardhur për t'ia thënë mbretit zotërisë tim këtë fjalë, sepse populli më futi frikën. Shërbëtorja jote mendoi: “Do të flas me mbretin dhe ndoshta mbreti ia dëgjon fjalën shërbëtores së tij. 16Mbreti do të më dëgjojë dhe do ta shpëtojë shërbëtoren e vet prej dorës së atij që kërkon të më fshijë bashkë me tim bir prej trashëgimisë së Perëndisë”. 17Se shërbëtorja jote mendoi: “Fjalët e timzoti, mbretit, do të më qetësojnë, sepse imzot, mbreti, është si engjëlli i Perëndisë dhe e dallon të mirën nga e keqja”. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty!».
18Atëherë mbreti i tha gruas: «Mos më fshih asgjë për çfarë do të të pyes». Gruaja i tha: «Fol, imzot, mbret». 19Mbreti i tha: «A mos të shtyu Joabi për të gjitha këto?». Gruaja iu përgjigj: «Pasha jetën tënde, imzot mbret, nuk i shmangem dot asgjëje nga çfarë thotë imzot, mbreti. Po, shërbëtori yt, Joabi, më urdhëroi e ia tha shërbëtores sate të gjitha këto fjalë. 20Shërbëtori yt Joabi e bëri këtë për të ndryshuar rrethanat, por ti, imzot, ke urtinë e një engjëlli të Perëndisë për të kuptuar ç'ndodh mbi tokë».
21Atëherë mbreti i tha Joabit: «Mirë, pra, po e bëj. Shko, merre djaloshin Absalom dhe ktheje këtu». 22Joabi ra me fytyrë përdhe, u përkul para mbretit, e bekoi e i tha: «Sot shërbëtori yt e kuptoi se ka pëlqimin tënd, o imzot, mbret, sepse mbreti ia dëgjoi fjalën shërbëtorit të tij». 23Atëherë Joabi u ngrit e shkoi në Geshur për ta kthyer Absalomin në Jerusalem. 24Megjithatë mbreti tha: «Le të kthehet në shtëpi, por të mos më dalë para syve». Kështu, Absalomi u kthye në shtëpi, por nuk i doli mbretit para syve.
25Në mbarë Izraelin nuk kishte burrë më të pashëm e më të përlëvduar se Absalomi. Ai nuk kishte asnjë të metë që nga shputa e këmbëve deri në majë të kokës. 26Në fund të çdo viti ai i qethte flokët e kokës, sepse i rëndonin. Kur i qethte, i peshonte, dhe ishin më shumë se dhjetë kilogramë, sipas masës së mbretit. 27Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë, që quhej Tamara. Tamara ishte shumë e bukur.
28Absalomi ndenji dy vjet në Jerusalem pa i dalë para syve mbretit. 29Atëherë ai dërgoi të thërrisnin Joabin, që ta paraqiste te mbreti, por Joabi nuk deshi të shkonte tek ai. E thirri për së dyti, por ai prapë nuk deshi të vinte. 30Absalomi u tha shërbëtorëve të vet: «Ja, ara e Joabit është afër arës sime dhe është e mbjellë me elb. Shkoni dhe vërini flakën». Shërbëtorët e Absalomit i vunë flakën arës së Joabit. 31Atëherë Joabi u ngrit, shkoi në shtëpinë e Absalomit e i tha: «Përse ia vunë flakën arës sime shërbëtorët e tu?». 32Absalomi iu përgjigj: «Sepse të kërkova të vije tek unë, që të të dërgoja te mbreti për t'i thënë: “Përse u ktheva nga Geshuri? Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha qëndruar atje”. Le të shkoj te mbreti dhe, nëse jam fajtor, të më vrasë». 33Joabi shkoi e foli me mbretin. Atëherë mbreti e thirri Absalomin. Absalomi shkoi te mbreti dhe ra me fytyrë përtokë para tij. Mbreti e përqafoi Absalomin.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë