Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 11

11
Davidi dhe Batsheba
1Në ndërrimin e viteve, në kohën kur mbretërit dalin në luftë, Davidi dërgoi Joabin, shërbëtorët që ishin me të e mbarë Izraelin, për të shfarosur amonitët. Ata rrethuan Rabahun, ndërsa Davidi qëndroi në Jerusalem.
2Një mbrëmje Davidi u ngrit nga shtrati dhe filloi të shëtiste në tarracën e shtëpisë së mbretit. Nga tarraca pa një grua që po lahej. Ajo ishte shumë e bukur. 3Davidi dërgoi njerëz të pyesnin për atë grua dhe i thanë: «Kjo është Batsheba, bija e Eliamit, gruaja e Urjah Hititit». 4Atëherë Davidi dërgoi disa lajmëtarë për ta sjellë tek ai dhe fjeti me të. Ajo sapo kishte kryer ritin e pastrimit nga të përmuajshmet. Pastaj ajo u kthye në shtëpinë e vet.
5Gruaja mbeti shtatzënë dhe i dërgoi lajm Davidit e i tha: «Jam shtatzënë!».
6Davidi i çoi fjalë Joabit e i tha: «Ma dërgo Urjah Hititin». Joabi e dërgoi Urjahun te Davidi. 7Kur Urjahu mbërriti tek Davidi, ai e pyeti për Joabin, ushtrinë dhe ecurinë e luftës. 8Pastaj i tha: «Shko në shtëpi e laj këmbët». Urjahu doli prej shtëpisë së mbretit dhe mbreti i dërgoi një dhuratë. 9Urjahu fjeti te porta e shtëpisë së mbretit, bashkë me shërbëtorët e zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi. 10Kur e lajmëruan Davidin se Urjahu nuk kishte shkuar në shtëpinë e vet ai i tha: «Sapo ke ardhur nga udha, përse nuk shkon në shtëpi?». 11Urjahu iu përgjigj: «Kur arka, Izraeli e Juda banojnë në kasolle dhe Joabi e shërbëtorët e zotërisë tim fushojnë në fushë të hapur, si të shkoj për të ngrënë, për të pirë e për t'u shtrirë me time shoqe? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, nuk do ta bëj një gjë të tillë». 12Atëherë Davidi i tha: «Rri këtu edhe sot. Nesër do të të nis». Urjahu qëndroi në Jerusalem atë ditë dhe të nesërmen. 13Davidi e ftoi që të hante në prani të tij. I dha të pinte dhe e dehu. Në mbrëmje ai doli e u shtri në shtrat mes shërbëtorëve të zotërisë së vet, por në shtëpi nuk shkoi.
14Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi me anë të Urjahut. 15Në letër shkroi: «Vëreni Urjahun në vijën e parë, aty ku beteja është e ashpër. Pastaj tërhiquni prej tij, që ta qëllojnë e ta vrasin». 16Kështu, kur Joabi rrethoi qytetin e vuri Urjahun te vendi ku e dinte se kishte luftëtarë të fortë. 17Burrat e qytetit dolën për t'u ndeshur me Joabin dhe aty ranë disa nga shërbëtorët e Davidit. Atje vdiq edhe Urjah Hititi. 18Atëherë Joabi i çoi lajm e i tregoi Davidit gjithçka që ndodhi në betejë. 19Joabi e porositi lajmëtarin e i tha: «Pasi t'i kesh treguar mbretit gjithçka për betejën 20dhe ai zemërohet e pyet: “Përse sulmuat pranë qytetit? A nuk e dinit se do t'ju qëllonin nga muret? 21Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerubeshetit? A nuk e qëlloi një grua nga muri me gurin e mokrës dhe ai mbeti i vdekur në Tebec? Përse iu afruat murit?”, ti do t'i thuash: “Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi”».
22Lajmëtari shkoi dhe i tregoi Davidit gjithçka siç e kishte porositur Joabi. 23Lajmëtari i tha Davidit: «Armiqtë patën epërsi e na dolën në fushë të hapur, por ne iu kundërvumë deri në të hyrë të portave. 24Shigjetarët i qëlluan nga muret shërbëtorët e tu dhe disa prej shërbëtorëve të mbretit vdiqën. Vdiq edhe shërbëtori yt Urjah Hititi». 25Davidi i tha lajmëtarit: «Kështu thuaji Joabit: “Mos u shqetëso për këtë, se kështu e ka shpata që përpin sa andej-këtej. Vërsulju qytetit dhe rrafshoje”».
26Kur gruaja e Urjahut dëgjoi se i shoqi kishte vdekur, e vajtoi. 27Pasi kaloi koha e zisë, Davidi dërgoi njerëz për ta sjellë në shtëpinë e tij. E mori për grua dhe ajo i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi ishte keq në sytë e Zotit.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Samuelit 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë